Deputeti i PD-së, Tritan Shehu, reagoi ashpër ndaj miratimit të ndryshimeve të Ligjit të Urdhrit të Mjekut. Në një postim në rrjetet sociale, Shehu akuzoi qeverinë për shkatërrimin e pavarësisë që i kishte mbetur këtij urdhri dhe për trajtimin e mjekëve si “bujkroberë” dhe Urdhrin e Mjekut si “kotec” të saj.
Shehu tha se ndryshimet e ligjit cenojnë të drejtat e specialistëve për të vendosur lirisht për aktivitetet e tyre profesionale jashtë orarit të punës dhe e quajti këtë veprim si antikushtetues dhe diskriminues ndaj mjekëve. Ai theksoi se Urdhri i Mjekëve nuk merr financime nga buxheti, por mbështetet në vetëfinancim për të mbrojtur të drejtat e mjekëve.
Shehu përfundoi duke thënë se mjekët nuk janë si “pula” dhe se ata do të reagojnë fuqishëm ndaj këtij veprimi që ai e sheh si një tentativë për të shndërruar Urdhrin në një strukturë të varur nga qeveria.