Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zbardhur rolin e vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja në grabitjen e rëndë në aeroportin e Rinasit. Të dhënat e marra nga Sky Ecc kanë treguar se grupi kriminal i Çopjave ishte përgjegjës për këtë akt, si dhe për një seri atentatesh dhe krimesh të tjera.
Ndër ngjarjet e rëndësishme që u përmendën është sulmi ndaj familjes së Erion Alibejt në fund të vitit 2019, ku u vranë 3 persona. Grupi gjithashtu ka tentuar të eliminojë Nuredin Dumanin, aktualisht i penduar i drejtësisë.
Përveç përfshirjes në grabitjen e aeroportit, grupi ka pastruar paratë përmes Exchange dhe ka investuar në ndërtimin e pallateve dhe blerjen e shoqërive tregtare. SPAK njoftoi se janë lëshuar 33 urdhra arresti, por deri tani janë ekzekutuar vetëm 13. Detajet e mëtejshme mbi arrestimet dhe ndihmën nga zyrtarë të përfshirë në këtë aktivitet nuk janë zbardhur ende.