Koordinatori Rajonal për Tiranën në PD, Klevis Balliu dënoi rikthimin në detyrë të drejtorit të Policisë Rrugore, Altin Qato, vetëm dy ditë pasi u pezullua me urdhër të kreut të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku pas shpullës ndaj një qytetari.
“Altin Qato, shefi i Policisë Rrugore, që u bë simboli i radhës i Policisë Rrugaçërore do të kthehet në krye të detyrës pas një pezullimi pak ditor, sa për sy e faqe.
Në shkelje të ligjit, përdhosjes së uniformës dhe të kodeve të shqiptarit, Altin Qato goditi në ‘rrugë të madhe’ një qytetar, duke u bërë një prej dhjetëra zyrtarëve të lartë policorë që dhunojnë qytetarë apo gazetarë pa asnjë shkak ligjor.
Partia Demokratike e dënon kthimin e Qatos në detyrë dhe kërkon marrjen e masave disiplinore serioze e të plota ndaj tij dhe çdo zyrtari që, në shkelje të detyrës, kërcënon, frikëson apo godet qytetarët.
Rikthimi i tij në detyrë, pas një “autokritike të shëndoshë” për Rrumbullakun e narko-Policisë dëshmon se sa i inkriminuar është pushteti, që nxjerr policët e Rrugores në rrugët e Shqipërisë për të goditur qytetarët, që jo vetëm paguajnë taksa për rrugët, por edhe rrogat e policëve.
Egërsimi i Altin Qatos dhe goditja e qytetarit është në vetvete një aferë korruptive për të mbuluar një tjetër aferë korruptive të qeverisë.
Prej kohësh Policia e Shtetit është kthyer ne mburojë të pushtetit dhe aferave korruptive të Ramës, Ballukut dhe Veliajt” tha ai.
Gazetari: Qëlloi të riun me shpullë, por Altin Qato rikthehet në detyrë