Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në rrjetet sociale që tregon ndryshimet në Libohovë.
Në postimin e tij, Rama përshkruan se si qyteti ishte dikur i harruar, me rrugë të dëmtuara dhe shtëpi të shkreta.
Sot, sipas tij, Libohova është një destinacion turistik i mbushur me vizitorë nga e gjithë bota që shijojnë bukurinë e kishës së restauruar, natyrën dhe mikpritjen vendase.
“Të flisje për një të ardhme me turizëm e për turistë të huaj që do të ngjiteshin deri aty ku edhe gurët kishin marrë rrugën teposhtë, ishte si të premtoje zbritjen e marsianëve me mushka fluturuese për të shijuar natyrën, traditat dhe ushqimet e Libohovës.
Sot nuk janë marsianët po janë turistë nga të katër anët e botës dhe vizitorë që jo vetëm ngjiten në qytezën e veçantë, për të shijuar bukurinë magjepsëse të kishës së restauruar, historinë, natyrën dhe mikpritjen libohovite, po edhe për të hedhur valle në mbrëmje mbi qilimin e gurtë të Rilindjes Urbane, që pret përditë miq të rinj, aty ku deri dje vetëm përcilleshin përmes gropave e pluhurit të mbeturit që shkonin për në banesën e fundit.“, shkruan Rama.