Pas 12 vitesh në krye të klubit, Familja Gjici i dha lamtumirën përfundimtare Kukësit. Në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, u bë prezantimi i stafit të ri të klubit, i cili do të menaxhojë ekipin e Kukësit që tani është në pronësi të një grupi investitorësh të huaj.
Erinaldo Gjici, djali i ish-presidentit Safet Gjici, shpjegoi për mediat se për klubin ka nisur një fazë e re me largimin e familjes së tij nga drejtimi. Më pas, drejtori sportiv letonez Nikita Kornejevs foli për planin e tij për klubin e Kukësit, që synon një rikthim në Superiore.
Kornejevs, i cili ka pasur sukses në karrierën e tij si në vendlindjen e tij Letoni me klubin Tukums 2000, shprehu entuziazëm për sfidën e re.
Sipas Kornejevs, plani për ekipin e ri është të krijohet një miks lojtarësh, duke përfshirë të rinjtë dhe ata me përvojë, për të ndihmuar në zhvillimin e ekipit dhe për të arritur objektivat e sezonit.