Operatorët e transportit urban kryeqytetas, për shkak të shtimit të kostove nga karburanti dhe pagat e punonjësve, kanë përsëritur vazhdimisht kërkesën për dyfishimin e çmimit të biletës nga 40 lekë në 80 lekë.
Por Bashkia e Tiranës ka zgjedhur ta subvencionojë rritjen e munguar të çmimit të biletës dhe të shtojë vlerën e kompensimit për abonenë e studentëve.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban Qytetas, Kostandin Foni, tha për Monitor se janë zhvilluar një sërë takimesh me nënkryetaren e Bashkisë së Tiranës, teksa pritet që formula për përllogaritjen e subvencionit të paraqitet nëpërmjet një draft projektvendimi.
Mbështetur në llogaritjen e shpenzimeve dhe sasinë e shitjes së biletave nga secili operator do të llogaritet edhe shuma e dhënies së subvencionimit që do të jetë e përmuajshme.
Sipas Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas parashikohet që kompensimi të jetë 12 lekë për çdo biletë të shitur. Po ashtu për shpërndarjen e aboneve falas për studentët nga muaji tetor deri në qershor, Bashkia e Tiranës kompenson operatorët në vlerën e 600 lekë për abone.(lexo KËTU për më shumë)