Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, ka marrë këto ditë mesazhe nga Kryetari i Senatit të Republikës Çeke, Miloš Vystrčil, Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Rumanisë, Alfred Robert Simonis, Kryetarja e Parlamentit të Bullgarisë, Raya Nazaryan, dhe Kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Brnabić.
Kryeparlamentarët përveç urimit, shprehin edhe mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Kryetari i Senatit të Republikës Çeke, Miloš Vystrčil shpreh besimin se “bashkëpunimi reciprok dhe shkëmbimi i përvojave midis parlamenteve do të kontribuojë në marrëdhëniet tona miqësore.”
Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Rumanisë, Alfred Robert Simonis thotë se “Ju siguroj që Rumania do të vazhdojë t’i japë Republikës së Shqipërisë mbështetjen e nevojshme për të avancuar në rrugëtimin e saj evropian.”
Ndërsa Kryetarja e Parlamentit të Bullgarisë, Raya Nazaryan shprehet se “Anëtarësimi i dy vendeve tona në NATO dhe perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian tregojnë vizionin tonë të përbashkët për të ardhmen e paqes dhe prosperitetit të Europës dhe të rajonit tonë, e ardhme e ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta.”
Gjithashtu Kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Republikës së Serbisë, Ana Brnabić shpreh besimin se “Marrëdhëniet midis Republikës së Serbisë dhe Republikës së Shqipërisë do të zhvillohen në interesin tonë të ndërsjellë dhe në dobi të popujve tanë”.