Zheni Gjergji shprehet se si deputete e Kuvendit është thellësisht e tronditur nga zbulimi i trafikut ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme ku vendi ynë del i përfshirë. Deputetja thotë se do të mbështesë nismat e Grupit Parlamentar të PD për transparencë, sapo të nisë sesioni i ri i Kuvendit.
“Si e zgjedhur dhe e mandatuar nga qytetarët e Elbasanit ku edhe banoj, jam edhe më shumë e shqetësuar për këtë kanosje të mjedisit, të shëndetit, të jetës, kjo pasi shumë raportime, e të dhëna deri tani, sugjerojnë se gjeneruesi i mbetjeve është Kurum.
E kuptoj se skena tani është bërë e madhe, nga Durrësi në Tajlandë, por s’duhet të harrojmë se Elbasani e banorët e tij, janë më të prekurit, duke qwnë se Kurum e ka aktivitetin pikërisht në qytetin tonë.
Ndotja e ajrit nuk është e re për elbasanllinjtë që janë dënuar të jetojnë në këtë ferr mjedisor prej kohësh.
Asgjë nuk ka ndryshuar me gjithë kërkesat tona, ngritjen e zërit e protestat prej ndotjes që vjen nga Metalurgjiku, që tanimë i është shtuar edhe kontributi i Bashkisë me inceneratorin.
Por tani mesa duket kemi kaluar nga krimi mjedisor, në krimin e trafikut të lëndëve të rrezikshme, sërish me origjinë Elbasanin.
Kjo kompani në fillim e ka mohuar. Por më pas, ka refuzuar t’i përgjigjet medias.
I kërkoj drejtuesve të saj të bëjnë menjëherë transparencë e t’u thonë qytetarëve të Elbasanit ku prej vitesh ushtrojnë aktivitetin, nëse gjenerojnë lëndë të rrezikshme e toksike e si i trajtojnë ato. E kanë këtë detyrim ndaj elbasanllinjve.
E nxis prokurorinë e Durrësit që ka hapur procedimin, të bëjë një hetim të plotë e të thellë” shprehet ajo.