Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali me anë të një postimi ka ndarë mesazhin për 114 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës.
Spiropali shprehet se 26 gushti, që është ditëlindja e Nënë Terezës është një datë madhështore për shqiptarët dhe botën.
“Shën Tereza është shqiptarja më e ndritur, e cila, me përdëllimin e saj karshi mjerimit, urrejtjes, individualizmit dhe indiferencës, krijoi një qiellnajë shpirtërore të dashurisë, solidaritetit dhe përkushtimit”, tha Spiropali.
Më tej ajo shkruan se “Nga porositë e panumërta dhe të paçmuara që Nënë Tereza, kjo luftëtare e urtë e paqes pa mjete dhune, i la njerëzimit, sot, në këtë botë të trazuar, të rrezikuar nga retë e luftës, kam zgjedhur mësimin e madhërishëm: Nuk kemi nevojë për armë dhe bomba për të sjellë paqe në botë, kemi nevojë për dashuri, mëshirë, dhembshuri”.