Shoqëria ‘Kurum International’ ka bërë të ditur se uzina e çelikut në ish-kombinatin Metalurgjik të Elbasanit ka ndërprerë prodhimin që prej 1 gushtit dhe 15 gushtit.
Në një deklaratë për mediat, kompania theksoi se “fabrikat e prodhimit të çelikut dhe petëzimit kanë ndërprerë prodhimin që prej datave përkatëse, por ky fakt nuk ka asnjë lidhje me njoftimet në media për eksportin e sasive të pretenduara si mbetje të rrezikshme nga një kompani shqiptare.”
Për më tepër, ‘Kurum’ sqaroi se deri më 26 gusht 2024 nuk ka ndodhur asnjë largim kolektiv nga puna.
“Shoqëria Kurum International, duke parashikuar një përkeqësim të situatës ekonomike gjatë muajve në vijim, ka vendosur të fillojë negociatat me sindikatën për një numër të caktuar punonjësish, duke ofruar alternativën e largimit nga puna pas 3 muajve kundrejt shlyerjes së të gjitha detyrimeve dhe pagesës së shpërblimit të vjetërsië në punë sipas ligjit,” theksoi kompania.
Në përfundim, ‘Kurum’ tha se po vazhdon me investimet për modernizimin e linjave të prodhimit dhe është e angazhuar për të rifilluar aktivitetin sa më shpejt.
“Shoqëria po bën remontet e duhura dhe mbetet e përkushtuar për të përfunduar investimet e nisura për të qenë sa më konkurruese dhe efikase në tregun rajonal,” njoftoi kompania. Ajo gjithashtu theksoi se ndonëse industria e çelikut ka hasur në sfida të mëdha, ata po përpiqen të mbeten lider në sektorin e prodhimit të çelikut në vend dhe rajon.








