Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Dodë Ricën, pronar i një rrjeti të lokaleve të striptizmit në Shqipëri dhe Kosovë, pas arrestimit të tij nga policia shqiptare.
Rica, 47 vjeç, me origjinë nga Mirdita dhe banues në Tiranë, akuzohet për trafikim të njerëzve në Kosovë. Për këtë arsye, Gjykata e Prishtinës kishte caktuar më parë masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë.
Arrestimi i Ricës u krye në Durrës, pas denoncimeve të disa balerinave, shqiptare dhe të huaja, të cilat kishin punuar më parë në një nga klubet e tij, në Prishtinë.
Këto denoncime, të bëra ditë më parë, akuzojnë Ricën për trafikim të qenieve njerëzore dhe për sjelljen e tyre në mënyrë të jashtëligjshme për t’i punësuar në klubet e tij.
Pas denoncimit, autoritetet kosovare informuan menjëherë ato shqiptare për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Dodë Rica njihet si pronar i rrjetit të klubeve të natës “Strip Club Shqiponja”.