Ditën e sotme është 114 vjetori i lindjes së një prej njerëzve më shenjtorë Nënë Tereza.
Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në rrjetin e tij social ka përkujtuar 114 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës.
“Sot përkujtojmë 114 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, Shenjtorja shqiptare që i përket mbarë njerëzimit”, shkruan Rama.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si ‘Nënë Tereza’ lindi më 26 gusht të vitit 1910 në Shkup të Maqedonisë. Ajo themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar katolik, i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete.
Ato ofrojnë shtëpi për njerëzit që janë duke vdekur nga HIV/AIDS, lebëra dhe tuberkulozi, ushqime, klinika të lëvizshme, programe këshilluese për fëmijët dhe familjet, jetimore, dhe shkolla.
Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”.
Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjt nga Kisha Katolike e Romës.
Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta në Indi. Dita 5 shtator njihet si dita e saj e festës.