Shpëtim Kraja, një 37-vjeçar i lindur në Shkodër, është ekstraduar nga Parisi në Shqipëri pas dy vitesh në kërkim ndërkombëtar. Kraja është i akuzuar për një sulm të armatosur ndaj dy punonjësve të Policisë së Shtetit në vitin 2022, si dhe për kryerjen e 5 vjedhjeve të tjera.
Ngjarja e vitit 2022 ndodhi në fshatin Arrameras, ku Kraja, i cili udhëhiqte një automjet të vjedhur, ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov ndaj dy policëve që i kishin dhënë urdhër ndalimi.
Kraja ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” nga Gjykata e Kurbinit. Ai është akuzuar gjithashtu për veprat penale të “Vrasjes së punonjësve të Policisë së Shtetit” në tentativë, “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve dhe municionit”, si dhe “Mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.
Pas një periudhe bashkëpunimi të ngushtë midis specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve në Francë, është finalizuar procedura e ekstradimit, duke i mundësuar Krajës të kthehet në Shqipëri për të përballuar akuzat ndaj tij.