Dy anëtarë britanikë të ekuipazhit të superjahtit Bayesian, që u mbyt në Sicili javën e kaluar, janë vënë nën hetim nga prokuroria lokale.
Tim Parker Eaton, që ishte në dhomën e motorit gjatë ngjarjes fatale dhe Matthew Griffith, anëtar i ekuipazhit të vëzhgimit, janë objekt i kontrollimeve dhe janë sekuestruar dy telefona të tyre. Sipas burimeve të Sky News, oficerët e policisë janë duke kontrolluar dhomat e gjumit të ekuipazhit në përpjekje për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Ky hetim ka nisur pasi kapiteni i jahtit, James Cutfield, ka refuzuar të përgjigjet në pyetjet e prokurorëve. Ai është nën hetim për “vrasje të mundshme dhe akuza për përmbytjen e mjetit lundrues”.
Avokati i tij, Aldo Mordiglia, ka deklaruar se kapiteni ka ushtruar të drejtën e tij për të qëndruar në heshtje dhe se ekipi ligjor po punon në strategjinë e mbrojtjes. Ngjarja ka rezultuar në vdekjen e shtatë personave, përfshirë manjatin britanik Mike Lynch dhe vajzën e tij 18-vjeçare, ndërsa pesëmbëdhjetë të tjerë kanë mbijetuar.