Reparti special RENEA në bashkëpunim me policinë e Gjirokastrës arrestuan në Memaliaj një 45-vjeçar nga Tirana, shtetas me rrezikshmëri shoqërore, i kërkuar për vrasje. Gjatë operacionit “Plani” në Memaliaj u vu në pranga shtetasit Edvin alias Andrew Bode.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në vitin 2022, ky shtetas, në bashkëpunim me 2 të tjerë, dyshohet se janë autorët e vrasjes së Edmond Papes.
Në vijim të veprimeve procedurale, Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestoi shtetasin Juian Kalemi, 42 vjeç, i cili ka strehuar shtetasin në kërkim.
Operacioni ka vijuar në Memaliaj, duke kryer kontroll në banesën e shtetasit Adriatik Kalemi. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu, 1 gjerdan fishekësh, fishekë luftarak, 2 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, 40 145 euro, 438 550 lekë të rinj dhe 3470 dollarë.
VIDEO-Blic në mesnatë! Momenti i arrestimit të vrasësit të biznesmenit Papa