Komisioni i Disiplinës dhe Etikës ka shpallur vendimet për dënimet ndaj klubeve dhe lojtarëve të përfshirë në incidente gjatë javës së dytë të Superiores. Ja vendimet e marra më datë 30 gusht 2024:
KF Tirana është dënuar me një gjobë prej 100,000 lekësh për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke përfshirë hedhjen e sendeve në fushë dhe ndezjen e flakadanëve, sipas neneve 17/2/b dhe 17/2/c të Kodit të Disiplinës dhe Etikës (KDE).
KF Vllaznia është ndëshkuar me të njëjtën gjobë prej 100,000 lekësh për incidente të ngjashme, sipas neneve 17/2/b dhe 17/2/c të KDE.
AF Elbasani ka marrë një gjobë prej 100,000 lekësh për sjellje të ngjashme të tifozëve, sipas neneve 17/2/b dhe 17/2/c të KDE.
FK Vora është paralajmëruar se në rast të përsëritjes së sjelljes së gabuar të tifozëve, do të jetë subjekt i masave disiplinore në përputhje me Kodi i Disiplinës dhe Etikës dhe Rregulloret e FSHF, sipas nenit 6/1/a të KDE.
Flamurtari FC është gjithashtu paralajmëruar për masat disiplinore të mundshme në rast të përsëritjes së sjelljes së gabuar të tifozëve, sipas nenit 6/1/a të KDE.
Lojtari i KF Pogradeci, Jorgo Qeleshi, është dënuar me 4 ndeshje pezullim për sjellje të dhunshme ndaj kundërshtarit, sipas nenit 14/1/h të KDE.
Klubi i Futbollit Luzi i Vogël 2008 ka marrë ndalim të regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 periudha regjistrimi për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 11, datë 08.01.2024 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, sipas nenit 29/1/c të KDE.
KF Laçi ka marrë miratimin për të shlyer me gjobë pjesën e mbetur të dënimit të Uilliam Cordeiros, sipas nenit 75 të KDE.
Kërkesa e lojtarit Redi Kaçanolli të KF Lushnja është rrëzuar si e pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.
Kundër këtyre vendimeve lejohet ankim brenda 3 ditëve përpara Komisionit të Apelit.