Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me forcë ndaj vendimit të kompanisë Kurum për të larguar 500 punëtorë nga puna.
Në një deklaratë për simpatizantët, Berisha bëri thirrje për revoltë dhe kërkoi që kompania të rishikojë vendimin e saj. Ai e quajti largimin e punëtorëve një ndëshkim të padrejtë dhe të paarsyeshëm dhe e lidhur me dështimet e qeverisë në menaxhimin e kompanisë dhe krimet ambientale.
Berisha kritikoi qeverinë për “larjen e duarve nga përgjegjësia” dhe përdorimin e punëtorëve si viktima të politikave të saj.
“Të dashur miq, sonte dua të përshëndes të gjithë punëtorët e metalurgjisë në Elbasan, ndërmarrjes Kurum. Iu bëj thirrje të ngrihen në revolta, sepse ndëshkimi i tyre për shkak të larjes së duarve nga çdo përgjegjësi e qeverisë së trafikut të helmeve, përballjes së saj me kompaninë ku ata punojnë, nuk pranohet kurrë që ata të jenë viktimë e këtij qëndrimi.
Ndaj edhe, i bëj thirrje edhe kompanisë të rishqyrtojë qendrimin e vetë. I bëj thirrje edhe qytetarëve të mbështesin protestën e punëtorëve të ndëshkuar për inate të qeverisë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje, asnjë përgjegjësi, asnjë faj pse Edi Rama me ministret e tij bën trafikun e lëndëve toksike dhe bëhet lajm i zi në detra, oqeane dhe të dyfishtë, bën jetën e zyrës dhe jetën e krimit.”, u shpreh Berisha.








