KFOR ka vendosur mjetet shtesë të Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, si pjesë e një trajnimi periodik. Ky operacion është i fokusuar në testimin e procedurave dhe ruajtjen e standardeve të larta operacionale të forcave të KFOR-it.
Në një përgjigje për Gazetën Express, KFOR-i ka sqaruar se këto dislokime janë të përkohshme dhe qëllimi i tyre është të mbajnë një prani të vazhdueshme dhe të kryejnë patrullime të rregullta në zonën përreth urës. KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe është angazhuar të marrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin e OKB-së dhe për t’u përgjigjur ndaj çdo zhvillimi të mëtejshëm në terren.
Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO, e ripohon përkushtimin e tij të palëkundur për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së.