-sidi education-spot_img
27.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Fitorja e ekstremistëve drithëron politikën në Berlin

Kryesoret

Në vitet e fundit, ka pasur shumë suksese zgjedhore të populistëve të ekstremit të djathtë në Evropë, me disa parti që jo shumë kohë më parë nuk pëlqeheshin nga votuesit, e të cilat dolën të parat në zgjedhje në shumë shtete, duke hyrë në Qeveri, e madje duke udhëhequr vendin.

Por, pyetja është nëse suksesi i Alternativës për Gjermani (AfD, Alternative für Deutschland) të dielën nuk ishte më simboliku nga të gjithë. Për herë të parë në historinë e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, një parti populiste e ekstremit të djathtë doli e para në zgjedhjet e një shteti. Dhe kjo ndodhi më 1 shtator, në ditën kur 85 vjet më parë Gjermania Naziste kishte pushtuar Poloninë dhe nisi luftën botërore, që shkaktoi pasoja të mëdha gjenocidale.

Në të vërtetë, fitorja e AfD-së në shtetin lindor gjerman të Turingias ishte krejtësisht e pritshme. Kjo parti ishte para në sondazhet parazgjedhore dhe fitoi 32.8 për qind të votave, pothuajse dhjetë pikë të përqindjes më shumë sesa partia në pushtet, CDU e qendrës së djathtë. Me 73 për qind dalje në zgjedhje – dalja më e madhe në tri dekada – rezultati i zgjedhjeve nuk mund të shpjegohet si mungesë e interesit të përgjithshëm. Me shumë gjasa, AfD-ja nuk do të qeverisë në këtë shtet, pavarësisht se fitoi, pasi të gjitha partitë e tjera politike janë zotuar se do të shmangin një aleancë me të. Por, fitorja e një numri të madh të votave nga AfD-ja do ta bëjë të vështirë formimin e një koalicioni, dhe kjo parti tani mund të bllokojë emërimet në gjyqësor dhe të bëjë ndryshime të Kushtetutës.

Suksesi i AfD-së do të ishte edhe më i madh nëse kjo parti do të dilte e para në zgjedhjet në shtetin fqinj të Saksonisë, që mbajti zgjedhje po të njëjtën ditë. Në këtë shtet, CDU-ja doli para AfD-së me 1.3 pikë të përqindjes (31.9 për qind të votave, përkatësisht 30.6 për qind). Por, AfD-ja në zgjedhje u rrit me 3 pikë të përqindjes krahasuar me zgjedhjet e vitit 2019. Rezultati i së dielës ishte më i keqi i CDU-së në shtetin që e ka dominuar politikisht që kur Gjermania u ribashkua 34 vjet më parë. Vrulli qartazi është në anën e ekstremit të djathtë.

Megjithatë, festë nuk kishte vetëm në mesin e mbështetësve të AfD-së. Partia tjetër populiste “Aleanca Sahra Wagenknecht” (BSW, Bündnis Sahra Wagenknecht) që në fillim të këtij viti doli nga partia e ekstremit të majtë, Linke, përfundoi në vendin e tretë në të dyja shtetet. BSW fitoi 11.8 për qind të votave në Saksoni dhe 15.8 në Turingia. Sikurse AfD-ja, BSW-ja kundërshton Bashkimin Evropian dhe NATO-n, kundërshton armatosjen e Ukrainës dhe ka simpati për Kremlinin.

Por, për dallim nga partitë e tjera majtiste në kontinentin evropian, kjo parti po ashtu ka qenë kritike e zëshme e migracionit. Pavarësisht ngjashmërive të shumta, nuk do të ketë një bashkim politik mes ekstremit të djathtë dhe të majtë. Të paktën tani për tani. BSW -ja po synon të bëhet një partnere më e vështirë koalicioni me partitë e tjera më të etabluara si në Saksoni ashtu edhe në Turingia, edhe pse do të jetë një sfidë të shihet se për çfarë çështjesh do të pajtohet kjo parti dhe sa realisht mund të qeverisë.

Pra, a përfundoi festa ende pa filluar? Në Qeverinë federale në Berlin janë tri parti: SPD-ja e qendrës së majtë, Të Gjelbërit dhe FDP-ja liberale. Kjo e fundit nuk kaloi pragun prej 5 për qind në asnjërën prej dy shteteve që mbajtën zgjedhje të dielën. Të Gjelbërit për pak e kaluan pragun në Saksoni dhe SPD-ja, që do të përfaqësohet në dy dhomat, dështoi që të fitonte mbështetje dyshifrore në të dyja shtetet.

Me më pak se një vit që nga mbajtja e zgjedhjeve federale, ky rezultat është alarmues për një koalicion që ka kaq shumë ngritje brenda vetes. A mund të qeverisë edhe për 12 muaj? Por, janë dy aspekte pozitive të gjithë kësaj.

E para, edhe në një shtet tjetër në lindje të Gjermanisë do të mbajë zgjedhjet. Më 22 shtator në Brandeburg, qytetarët do të votojnë. Në këtë shtet, AfD-ja aktualisht po kryeson sondazhet, por CDU-ja po ashtu është mirë në sondazhe dhe më e rëndësishmja, edhe SPD-ja performon mirë në këtë shtet. Pra, në Brandeburg gara do të jetë mes tre partish.

E dyta, do të ketë të atillë që do të thonë se askush nuk duhet t’i marrë shumë seriozisht këto rezultate. Të dy palë zgjedhjet (dhe ato që do të mbahen në Brandenburg) mbahen në shtetet që dikur i përkisnin Republikës Demokratike Gjermane dhe edhe pse bashkimi gjerman ka ndodhur dekada më parë, ka ende ndarje lindje-perëndim, sa i përket ekonomisë dhe politikës. Në lindje, pjesa më e madhe e elektoratit është antiperëndimore dhe ka më shumë prirje të anohet kah autoritarizmi. AfD-ja, por edhe BSW-ja në mbarë Gjermaninë janë dukshëm më pak popullore. Këto parti nuk pritet të fitojnë zgjedhjet federale të vitit të ardhshëm. Por, tash për tash, suksesi i tyre zgjedhor ka një efekt drithërues në politikën në Berlin. Dhe, Gjermaninë po e pret një vjeshtë me plot ankth./ REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit