Në nisjen e sesionit të ri parlamentar, kryetarja Elisa Spiropali ka mbajtur fjalën e saj.
Spiropali u shpreh se vendi i saj është mes të barabartëve me njëri-tjetrin, por kaq të ndryshëm.
“Vendi im është mes të barabartëve me njëri-tjetrin, por kaq të ndryshëm. Kanë mbetur vetëm pak muaj deri në ritakimin tonë përballë votuesit që na rreshtoi në këtë raport numrash. Në ballafaqimin e ardhshëm elektoral, secili nga ne do të shkojë me bilancet e veta politike, pritshmëritë e realizuara dhe brengat për cfarë mund të kishim bërë ndryshe. E pamundur të ndryshojmë të shkuarën tonë të përbashkët, e qartë se pendesa për veprime të gabuara, vlen vetëm për të gjetur forcë dhe korrigjuar cfarë mund të bëjmë ndryshe dhe më mirë. Besoj fort se reflektimi duhet të jetë i përbashkët, që përfshin edhe qortimin e së shkuarës dhe projeksionet për të ardhmen”, u shpreh Spiropali.
Ajo tha që shumica në këtë sallë duhet të ishte më tolerante dhe të gjykonte në bazë të kujtimeve ku ajo vetë ishte pakicë.
“T’i mbrojmë deri në fund pikëpamjet dhe qëndrimet tona, por me etikë parlamentare, duke respektuar institucionin e Kuvendit të Shqipërisë dhe qytetarët që na kanë votuar e na ndjekin”, tha Spiropali.