Ministria e Mbrojtjes ka bërë një bilanc të situatës së zjarreve në vend. Sipas saj, gjatë 24 orëve të fundit, është kërkuar ndërhyrje e koordinuar nga strukturat operacionale të Mbrojtjes Civile, si në nivel vendor ashtu edhe qendror.
“Nga 25 vatra zjarri të raportuara, 19 janë shuar dhe vënë nën kontroll, ndërsa 6 vatra mbeten ende aktive dhe janë nën monitorim të vazhdueshëm nga ekipet tona në terren”, thotë Ministria e Mbrojtjes në një njoftim.
Një vatër e veçantë dhe problematike, për shkak edhe të terrenit të vështirë është ajo në fshatin Shëngjin, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë, ku zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të madhe me kullotë, shkurre dhe pisha. Aktualisht, zjarri është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për zona të banuara.
Gjithashtu, mbeten aktive vatrat e zjarrit në Surroj dhe Shishtavec, bashkia Kukës – Skuraj, bashkia Kurbin – Sopot, bashkia Delvinë dhe Luf, bashkia Pukë, por ato nuk përbëjnë rrezik për qytetarët dhe pronat.
Gjithashtu, në operacion është përfshirë edhe helikopteri Cougar, duke ndihmuar strukturat operacionale në kontrollin dhe shuarjen e zjarreve.