Forca të shtuara të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, u vunë re edhe të mërkurën në urën e Ibrit në Mitrovicë.
Pjesëtarë të misionit i thanë korrespondentes së Radios Evropa e Lirë në terren se bëhet fjalë për disa stërvitje.
REL-i kërkoi përgjigje zyrtare nga KFOR-i, por nuk mori.
Ky mision ka prani të përhershme në urën e Ibrit, që ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe veriun e banuar me serbë.
Forca të shtuara ka pasur edhe në fundjavën e kaluar, kur misioni ka konfirmuar se ka kryer trajnime.
Këto zhvillime vijnë pak ditë pasi autoritetet e Kosovës kanë mbyllur pesë institucione paralele serbe në veri.