Këshilli i Ministrave ka miratuar sot rregullat për përdorimin e mjeteve ajrore pa pilot, të cilat do të administrohen nga Forcat e Armatosura në mbështetje të institucioneve shtetërore.
Vendimi përcakton rregullat e bashkëpunimit me institucione të ndryshme, duke përfshirë ministritë e Infrastrukturës, Bujqësisë, Turizmit dhe Mjedisit, si dhe agjencitë për mbrojtjen civile dhe menaxhimin e burimeve ujore.
Mjetet ajrore pa pilot do të përdoren për mbikëqyrjen e territorit, monitorimin e kufijve, ndihmën në emergjenca civile dhe inspektimin e infrastrukturës kritike.
Të dhënat e përftuara do të trajtohen në përputhje me rregullat e informacionit të klasifikuar dhe përdorimin e të dhënave personale, duke u ofruar institucioneve vetëm në rastet kur shërbimi nuk mund të realizohet ndryshe.