Gazment Bardhi, Kreu i Grupit të PD-së, në një intervistë për News24, komentoi situatën e Lulzim Bashës dhe planin e partisë për zgjedhjet e ardhshme.
Bardhi shprehu se nuk është i informuar për aktivitetet e Bashës dhe se nuk e ka parë duke vepruar kundër qeverisë Rama. Ai theksoi se nëse Basha do të bëjë opozitë aktive, PD duhet të bashkojë të gjithë anëtarët për të sfiduar Edi Ramën.
“S’e di ku është Basha, çfarë bën. Nuk e ndjek në veprimtarinë e tij dhe nuk e kam parë në opozitë me qeverisjen e Ramës. Në momentin që do të bëjë opozitë me qeverinë e Ramës, ne duhet të bashkojmë çdo anëtar të PD-së për të mundur Edi Ramën”, tha ai.
Ndër të tjera, kreu i Grupit të PD-së u pyet dhe se çfarë do të ndodhë me PD-në nëse humbet zgjedhjet e 2025. Në përgjigje ai tha: Ne jemi në 2024, zgjedhjet janë pas 8 muajsh. Kjo pyetje bëhet sa hera ka zgjedhje dhe unë nuk flas me nëse. PD duhet të bëjë gjithçka në kohën e mbetur në bashkëpunim me qytetaret që duan ndryshimin, për të fituar zgjedhjet.”u shpreh Bardhi.