Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar ish-ministrin e Brendshëm Taulant Balla se ka patur takime me individë të botës së krimit në Dubai.
Në një deklaratë gjatë protestës te ‘Rruga e Shpresës’, Berisha tha se përgjimet tregojnë se janë paguar miliona për emërimet në polici.
Ai e akuzoi qeverinë e Edi Ramës se është e lidhur ngushtë me krimin dhe se përmendet Taulant Balla si një nga ata që ka ndërhyrë në këto emërime të dyshimta.
“Kanë mbrojtje të plotë nga mercenar Dumani dhe shpura e tij.
Të dashur miq, edhe njëherë theksoj se Shqipëria, shoqëria shqiptare sot për fatin e saj është e ngërthyer nga krimi sa kurrë ndonjëherë në ekzistencën e vet.
Dhe kjo për asnjë arsye tjetër, por se shteti që duhet të luftojë, është një me krimin.
Deri dje ministri i Brendshëm, Taulant Balla Bego Yaris, ndërhyn dhe liron me urdhër të vrasësve, vrasësit që i vunë tritolin tjetrit.
Dy prej tyre dhe nuk i ndodh asgjë sepse ai ka mbrojtjen e bandave, ka mbrojtjen e atyre që e porositën të ndërmarrë aktin kriminal me Vath Stakën për të liruar ata që i vendosën tritolin tjetrit në mes të Shkodrës.
Taulant Balla ishte për vizitë në Dubai. Atje takoi edhe çunat e tij, por regjistrimet tregojnë se janë paguar miliona për emërimet në Tiranë, për emërimet në drejtorinë qendrore të policisë.
Dhe megjithatë ai është ministër shteti sepse më i zhytur në krim është Edi Rama, është Olsi Rama.
Janë parti e krimit!”, u shpreh Berisha.