Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për lidhje me bandat kriminale dhe përpjekje për të liruar Dritan Dajtin, i cili është dënuar për vrasjen e katër policëve.
Gjatë një tubimi qytetar, Berisha theksoi se Rama po bën gjithçka për të shpëtuar Dajtin, duke synuar që të eliminonte një politikan të afërt me të.
“Të dashur miq, një muaj më parë u vendos në qytetin e Durrësit një pllakatë memoriale për katër dëshmorë të kombit, oficerë të shkëlqyer policie që i ekzekutoi miku i Edi Ramës, vrasësi serial Dritan Dajti.
A mund të imagjinoni ju se ajo pllakë përkujtimore që u inaugurua zyrtarisht me praninë e narkopolicëve, u hoq me urdhrin e Dritan Dajtit.
Sepse Edi Rama po bën gjithçka që vrasësin e katër oficerëve të policisë ta nxjerrë nga burgu, ta lirojë për detyrimet që ka ndaj tij.
Të dashur miq, këto janë vetëm maja e ajsbergut e krimeve të këtyre qeveritarëve.
Në dosje ka telefonata që faktojnë se përgatitën vrasjen e një politikani të afërt me Edi Ramën dhe heshtin dhe nuk bëjnë asnjë akuzë, nuk guxojnë, sepse bandat që do e eliminonin janë superbandat e partisë.
Pra, aq sa është e shëmtuar vrasja në klub, në rrugë dhe kudo, më të shëmtuara dhe kriminale janë planet që bëhen nga njerëzit e pushtetit, nga bandat e pushtetit.”, tha Berisha.