Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nga ballkoni ka publikuar mesazhin e një mjeku te spitali Onkologjik, ku i kërkon kolegëve të heshtin për mungesën e ilaçeve për të sëmurët. Berisha e akuzoi mjekun se është ‘bashkëpunëtor në një krim të rëndë’.
“Këto ditë, një gazetar i mirënjohur publikun mesazhin e një mjeku, e një bluzëbardhi, e një njeriu të betuar për t’i shërbyer të sëmurit dhe interesave të të sëmurit.
Ky mjek për fatin më të keq ka pësuar një transfigurim, një shpërbërje të tmerrshme në këtë regjim.
Doktori, që nuk ia kam emrin, u çon me Ëhatsapp kolegëve të tij dhe infermierëve njoftimin se ilaçi kryesor për mjekimin e të sëmurëve mungon në pavijon dhe do mungojë për një kohë të gjatë.
Ajo që është dramatike, ajo që është pashpirtësi, ajo që është e pafalshme, mjeku porosit kolegët që heshtni dhe mos bëni zë.
I dashur doktor, ky mesazh të bën dy bashkëpunëtor në një krim të rëndë.
I nderuar doktor, ti nuk je përgjegjës pse mungon ilaçi, por ti je përgjegjës, ti bëhesh mburojë e grupit apo e organizatës kriminale që vjedh paratë e ilaçeve të të sëmurëve.
Ti je mjek, ti e di që në qoftë se Edi Rama nuk do të udhëtonte me Ismailin e tij dhe do të shpenzonte 143 udhëtime mbi 21 milionë euro, pavijonit tënd dhe asnjë pavijoni tjetër nuk do i mungonte asnjë ilaç” tha ai.