Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka theksuar se çështja e Kosovës është shumë e vështirë dhe se dialogu është mënyra më e mirë dhe e vetme për zgjidhjen e saj.
Në një intervistë për televizionin serb RTS, Hill ka theksuar rëndësinë e ofrimit të një perspektive për komunitetin serb përmes këtij dialogu.
“Komunitetit serb duhet t’i jepet një perspektivë se cila do të jetë e ardhmja e tyre përmes dialogut”, ka thënë Hill.
Hill ka shprehur përkushtimin e SHBA-së për mbështetje të vazhdueshme të Serbisë dhe e sheh atë si një vend të rëndësishëm në rajon. Ai është optimist për anëtarësimin e Serbisë në BE dhe vlerëson se perspektiva evropiane për Serbinë po forcohet çdo ditë.
“Është e rëndësishme që SHBA të mbështesin BE-në në procesin e zgjerimit dhe të mbështesin Serbinë për t’u anëtarësuar”, ka shtuar ai.