Deputeti i Partisë Demokratike (PD) dhe drejtuesi politik për Qarkun e Elbasanit, Ervin Salianji, ka filluar takimet në terren vetëm pak ditë pas marrjes së këtij funksioni. Ai zhvilloi takime me strukturat e PD dhe qytetarët e Belshit për të organizuar fushatën në këtë qark të rëndësishëm.
Në një postim në rrjetet sociale, Salianji theksoi se është i përkushtuar për të projektuar një fitore të mundshme për PD në Elbasan dhe për të arritur një rotacion politik në zgjedhjet e vitit 2025. Ai shprehu besimin e tij se ky objektiv është i realizueshëm nëse demokratët do të punojnë fort dhe do të angazhohen me vendosmëri.
“Çdo sukses në çdo garë politike e kam bazuar tek besimi bashkë me ekipin, së bashku projektojmë fitoren,” shkroi Salianji në postimin e tij. “Kam marrë impulse dhe energji shumë pozitive sot në Belsh, në çdo takim me strukturat dhe qytetarët! Besimi te fitorja dhe energjia për të punuar fort për rotacionin politik, të bindur se në Elbasan do të arrijmë një rezultat fantastik,” shtoi ai.