UEFA ka paralajmëruar Anglinë se mund të përjashtohet nga organizimi i Euro 2028 nëse qeveria vazhdon me planet për krijimin e një komisioni të ri për rregullimin e futbollit në vend. Sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, Teodor Teodoridis, i dërgoi një letër qeverisë angleze duke shprehur shqetësimin se ndryshimet e propozuara do të cenonin pavarësinë e futbollit nga politika.
Në letrën e tij, Teodoridis theksoi se implementimi i politikave të reja që ndalojnë klubet të angazhohen në aktivitete ndërkombëtare të caktuara ose të tërheqin fonde nga investitorë të caktuar, mund të përbënte një shkelje të parimeve themelore të UEFA-s. Ai paralajmëroi se ndëshkimi mund të përfshijë përjashtimin e Federatës Angleze nga UEFA dhe ndalimin e skuadrave të saj nga pjesëmarrja në kompeticione.
Nëse qeveria e Anglisë vazhdon me këtë plan, një sanksion i mundshëm do të ishte edhe heqja e Euro 2028 nga Britania e Madhe, një situatë që do të ndikonte rëndë në organizimin e turneut të madh, ku Anglia është përgjegjëse për shumicën e ndeshjeve.