Autoritetet në Republikën Çeke konfirmuan viktimën e parë nga përmbytjet që përfshinë këtë vend të Evropës Qendrore. Shefi i policisë, Martin Vondrashek tha se individi u mbyt në lumin Krasova, në rajonin Moravskosllezski.
Ndërsa shtatë persona të tjerë janë zhdukur në Çeki, ku tre prej tyre mendohet se janë bllokuar në një makinë, kur ajo u mor nga një lumë pranë qytetit Jesenik. Deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të automjetit.
Ndërsa rreth 250.000 familje vazhdojnë të mbeten pa energji elektrike dhe në kryeqytetin Pragë, autoritetet ndërmorën masa për të parandaluar përmbytjet rreth lumit Volltava.