Të premten, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç njoftoi masat me të cilat synon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës. Ai nuk është më i kënaqur me refuzimin e njohjes së Kosovës, por dëshiron të marrë të paktën një pjesë të saj. Ndërkohë, ambasada amerikane në Beograd vazhdon të shprehë besimin se ajo po e çon Serbinë drejt Perëndimit.
Kështu shkruan profesori amerikan i John Hopkins, Danier Serwer, i cili në analizën e tij të fundit thotë se përkëdhelja e Serbisë nuk funksionon dhe as ndëshkimi i Kosovës nuk funksionon.
Serwer thotë se mënyrat se si kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ushtron sovranitetin në veri e shqetësojnë Perëndimin, por thotë se Kurti “pa mëdyshje” rreshtohet kah Perëndimi.
“Kosova, ku ndërrimi i pushtetit ka ndodhur disa herë, ka një kryeministër popullor, i cili ushtron autoritet sovran në veriun e Kosovës me shumicë serbe në mënyra që u japin shqetësime amerikanëve dhe evropianëve.
Ata duan që ai të konsultohet dhe të marrë leje për çdo gjë që bën që mund të shqetësojë ose serbët e Kosovës ose Beogradin. Ai nuk ka qenë i gatshëm ta bëjë këtë. Por kryeministri Kurti gjithsesi rreshtohet pa mëdyshje me Perëndimin. Ai nuk ka alternativë”.