Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se sulmi terrorist në Banjskë kishte për qëllim krijimin e një korridori të armëve dhe terroristëve nga Zveçani në Mitrovicë të Veriut.
Sveçla theksoi se grupi terrorist ishte mirë i armatosur dhe i trajnuar, me planin për të aneksuar veriun e Kosovës në një mënyrë të ngjashme me atë të Donbasit. Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 individëve, përfshirë udhëheqësin Milan Radoiçiq.
“Ne përveç municioneve e materialeve të ndryshme kemi zënë edhe fakte të këtij grupi terrorist të cilat dëshmojnë qëllimin e tyre. Qëllimi i tyre ka qenë që deri në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut të krijojnë korridor të ri për futjen e armatimit shtesë dhe terroristëve tjerë. Me ç’rast do të aneksionin veriun e Kosovës, një lloj imitimi i rastit të Donbasit. Njerëz të trajnuar, të pajisur jashtëzakonisht shumë dhe mirë, me armatime ushtarake realizojnë një aneksim por pa shenjat e një ushtrie apo policie prej nga vijnë”, ka thënë Sveçla për “Al Jazeera“.
Aleatët ndërkombëtarë dhe liderët kosovarë kanë mirëpritur këtë hap, duke theksuar rëndësinë e veprimeve të mëtejshme.