Në nëntor të vitit 2017, dhjetra forca policore rrethuan me bujë resortin “Santa Quaranta” buzë detit të Sarandës në zbatim të një vendimi sekuestrimi të bazuar në ligjin “Antimafia”.
I shtrirë në rreth 30 mijë metra katrorë, resorti që kishte shërbyer si kamp i Pushimit të Punëtorëve gjatë regjimit komunist, administrohej nga Bashkim Balili, vëllai i madh i Kelmend Balilit – i njohur si “Eskobari i Ballkanit” dhe i dënuar me 10 vjet burg në vitin 2019 për trafik ndërkombëtar narkotikësh.
Pas sekuestrimit, resorti “Santa Quaranta” shërbeu si aset i çmuar për Agjencinë e Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara, AAPSK në gjenerimin e të ardhurave. Por shtatë vjet më pas, resorti i është rikthyer pronarit të mëparshëm, Bashkim Balili, ndërsa AAPSK ndodhet në një proces gjyqësor për të përcaktuar se cila do të jetë pjesa e vet takuese prej 40% e godinës.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes dokumenteve gjyqësore tregojnë se rikthimi i resortit në duart e familjes Balili u mundësua nga një vendim i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i shtatorit 2020, i cili çliroi nga masa e sekuestros kompaninë që administronte resortin dhe konfiskoi në favor të shtetit vetëm 40% të objektit.
Në pritje të vendimit të gjykatës se cila pjesë e hotelit do t’i takojë shtetit, drejtori i AAPSK, Idriz Haxhiaj i tha BIRN se kishin arritur një marrëveshje me Balilin për dhënien e ambienteve me qira për 5 muaj gjatë sezonit veror, duke arkëtuar në favor të shtetit 12 mijë euro në muaj.
Haxhiaj shtoi gjithashtu se në kontratën e qiradhënies është përcaktuar se Balili merr përsipër ruajtjen dhe një qira mujore simbolike për pjesën tjetër të vitit, duke kursyer sipas tij për Agjencinë ruajtjen me polici private.
“Kjo marrëveshje u arrit pas dy vitesh vërdallosje, si dhe një procesi civil që vijon ende për përpjestimin në natyrë të pjesës ideale të secilit, 60% Balili dhe 40% shteti,” tha Idrizaj.
Resorti “Santa Quaranta” është vetëm një nga pronat e sekuestruara që i rikthehet pronarit të mëparshëm.
Për shkak të vendimeve gjyqësore të komplikuara në zbatim dhe mungesës së interesit nga individët dhe institucionet shtetërore për blerë apo përdorur pronat e konfiskuara nga krimi i organizuar, shumë prej tyre përfundojnë sërish në duart e këtyre grupeve.
I pyetur nga BIRN, Bashkim Balili nuk iu përgjigj një kërkese për koment deri në publikimin e shkrimit.
Vendimi: Prona 60% të ligjshme
Sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive konsiderohet një ndër armët më të forta në luftën kundër krimit të organizuar. Vetëm gjatë vitit 2023, Prokuroria e Posaçme, SPAK deklaron se ka sekuestruar dhe konfiskuar prona, pasuri të patundshme dhe biznese me një vlerë të llogaritur në 41 milionë euro, sipas një prezantimi që kreu i SPAK bëri në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Përgjatë tre viteve të fundit, organet ligjzbatuese i targetuan pronat me origjinë të dyshimtë përmes ligjit “Antimafia”, parashikimeve të Kodit Penal dhe operacionit të diskutueshëm “Forca e Ligjit” – duke vendosur në total 163 urdhra konfiskimi.
Por ky nuk është rasti i resortit luksoz “Santa Quaranta”.
Procesi kundër pasurisë së Klement Balilit nisi në nëntor 2017 nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila identifikoi dhe sekuestroi një truall me sipërfaqe 11.994 m2 në qytetin e Sarandës, resortin Santa Quaranta me sipërfaqe ndërtimi 1923 m2 dhe sipërfaqe trualli 13.000 m2, një truall 1716.91 m2 po në Sarandë si dhe dhjetra apartamente dhe një njësi tregtare.
Nën sekuestro u vendos edhe kompania Santa Quaranta Premium Resort që administronte hotelin, e cila kaloi nga Bashkim Balili tek Agjencia e Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Por gjatë gjyqit për konfiskimin, Gjykata e Posaçme vendosi më 21 shtator 2020 që të konfiskonte vetëm 40% të pronave të sekuestruara nga Balili, duke i njohur si burime të ligjshme pjesën tjetër prej 60% të këtyre pronave.
Sipas vendimit të Gjykatës që BIRN e disponon, prokurori i çështjes, Ened Nakuçi kërkoi konfiskimin e plotë të resortit “Santa Quaranta” dhe trojeve që ai disponon, ndërsa për apartamentet kërkoi revokimin e masës së sekuestros. Ndërsa avokati i vëllezërve Balili, Sokol Hazizaj kërkoi rrëzimin e kërkesës së prokurorit për konfiskimin e “Santa Quaranta”, ndërsa shprehu dakordësi për revokimin e masës nga apartamentet.
Gjyqtarja Iliriana Olldashi e Gjykatës së Posaçme nuk i dha të drejtë asnjërës prej palëve dhe bëri një vlerësim të ndryshëm prej tyre.
Kelmend Balili rezultonte si person i hetuar në vitin 2005 nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, por procedimi është pushuar në janar të vitit 2007 për pamjaftueshmërinë e provave.
Sipas vendimit të gjyqtares Olldashi, data e ndalimit të parë të Balilit më 16 korrik 2006 është marrë si indicie e përfshirjen e tij në veprimtari kriminale të krimit të organizuar. Për këtë arsye, gjykata i ngarkoi vëllezërve Balili barrë prove për të vërtetuar ligjshmërinë e burimeve të pasurisë pas datës 16 korrik 2006.
Bazuar në këtë arsyetim, Olldashi ka çmuar se prej vitit 2006, resortit “Santa Quaranta” dhe pasurive të tjera u janë bashkëngjitur pasuri të paligjshme që dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal, në masën 40% të vlerës totale të tyre.
“Nga momenti i krijimit të kësaj pasurie me periudhën e zbatimit të masave parandaluese kundër kësaj pasurie duke përfshirë sekuestrimin dhe më pas me këtë gjykim konfiskimin, pasuria ka pësuar ndryshime nga gjendja fillestare duke rritur vlerën e saj të ndërtimit, ashtu edhe në treg, duke u bashkuar origjina e paligjshme e 40% të saj me pasuri të ligjshme, siç është rikonstruksioni i ish-Kampit të Punëtorëve dhe ndërtimi i apartamenteve,” citohet në vendim.
Gjykata vlerëson se në këtë rast zbatohet konfiskimi i pasurisë së barazvlefshme sipas nenit 12/a të ligjit të quajtur dhe ‘Antimafia’, ku përcaktohet se sekuestrimi dhe konfiksimi zbatohet dhe “kur pasuria e paligjshme është trupëzuar me pasuri të ligjshme dhe nuk mund të ndahet prej saj pa i shkaktuar një dëm thelbësor”.
Gjykata e gjeti të pabazuar kërkimin e prokurorit Nakuçi për revokimin e sekuestros për apartamentet në emër të Bashkim Balilit dhe vendosi të konfiskojë 16 apartamente në masën 40%. Për 18 apartamente të tjera të listuara në vendim u revokua masa e sekuestros, pasi ato ishin blerë nga persona të tretë që u vlerësuan si pronarë të ligjshëm.
Prokurori Ened Nakuçi nuk ushtroi ankim ndaj vendimit të gjykatës, ndërsa një ankim i bërë nga vëllezërit Balili u tërhoq më vonë në Gjykatën e Apelit, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë që njohu si të ligjshme 60% të resortit dhe truallit të tij.
‘Shiten për 5 lekë’
Resorti luksoz “Santa Quaranta” u inaugurua në gusht të vitit 2015 në praninë e politikanëve të lartë të mazhorancës dhe u quajt prej tyre “një investim serioz i jashtëzakonshëm”. Por dy vjet më vonë, hoteli u sekuestrua si pronë e rrethit familjar të Klemend Balilit, i kërkuar në atë kohë për akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. Balili u dënua më vonë me 10 vjet burg.
Pas vendimit të sekuestrimit në nëntor të vitit 2017, resorti “Santa Quaranta” kaloi në administrimin e AAPSK dhe pronari Bashkim Balili u zëvendësua nga administratorët Arjan Baci dhe Erion Riçku në ekstraktin e kompanisë “Santa Quaranta Premium Resort” shp.k në QKB. Kompania u administrua nga shteti deri më 8 mars 2022, kur iu rikthye sërish Balilit.
Erion Riçku, njëri prej ish-administratorëve dhe shef juridik dhe i Marrëdhënieve me Institucionet pranë AAPSK i tha BIRN se Agjencia gjeneroi të ardhura mbi 2 milionë euro nga menaxhimi i resortit, duke arritur të lidhte kontrata me agjenci gjermane dhe nordike edhe gjatë periudhës së pandemisë.
Ai shtoi gjithashtu se fitimi sezonal pas zbritjes së shpenzimeve kapte vlerën e 300 deri në 500 mijë euro, 40% e së cilave kaluan për llogari të shtetit pas vendimit të konfiskimit. Riçku sqaroi se pas vendimit të konfiskimit, kur ish-pronari zotëron shumicën e pasurive të paluajtshme, si dhe bazuar në një vendim gjykate për revokimin e sekuestros për shoqërinë, kjo e fundit i’u kthye ish-administratorit Balili.
“Vijon ende procesi civil në Gjykatën e Sarandës për përpjestimin e pasurisë, sipas përcaktimeve të vendimarrjes së Gjykatës së Posaçme,” tha ai. Ish-administratori tjetër i AAPSK, Arjan Baci i tha BIRN se pjesa e konfiskuar dhe pse ende e paidentifikuar në objekte, i është dhënë me qira Bashkim Balilit. Ai tha se është bërë përllogaritje e vlerës totale të qirasë për gjithë objektin dhe vilet si qira 40% e vlerës totale.
Zbatimi i vendimit gjyqësor për resortin “Santa Quaranta” është një ndër rastet e komplikuara, por jo i vetmi ku Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara është detyruar që t’ua kthejë ato pronarëve të mëparshëm.
Sipas kreut të AAPSK, Idriz Haxhiaj, pasi një pronë konfiskohet, informohen institucionet shtetërore nëse mund ta përdorin atë për qëllime publike dhe nëse nuk ka interes, prona del në ankand.
Por Haxhiaj theksoi se institucionet publike nuk shfaqin interes, ndërsa qytetarët nuk u afrohen këtyre pronave pasi u druhen konflikteve, duke i hapur rrugën kthimit të tyre tek pronarët e vjetër përmes ankandeve.
“Legjislacioni nuk ndalon që në ankande të konkurrojnë edhe ish-pronarët, që u janë konfiskuar për arsye se janë të përfshirë në krimin e organizuar dhe t’u shiten atyre për pesë lekë,” tha Haxhiaj, duke shtuar se kishte përcjellë drejt Ministrisë së Ekonomisë 30 dosje pronash të konfiskuara për procedura ankandi.
“Dhe praktika evropiane ka treguar se këto pasuri mbërrijnë tek ish-pronarët për vlera simbolike dhe për këtë arsye, ndërkombëtarët sugjerojnë që të mbeten pronë e shtetit,” përfundoi ai./ BIRN