Jorida Tabaku zhvilloi një takim me kryetarin e Komisionit të Çështjeve Europiane në Senatin Italian Giulio Terzi. Ai po viziton Shqipërinë së bashku me anëtarë të tjerë të komisionit.
Tabaku së bashku me Terziun ka ngritur dy shqetësime kryesore, të cilat janë roli i opozitës dhe rëndësia e procesit zgjedhor.
“I pari, roli i opozitës në këtë proces, roli i opozitës në procesin politik në Shqipëri, rëndësia që ka përfshirja e opozitës dhe hapësira që duhet të ketë opozita në Parlament po dhe balanca e pushteteve me rolin që duhet të luajë Parlamenti dhe së dyti, rëndësinë e procesit zgjedhor që ne kemi vitin e ardhshëm. Ne nuk mund të lejojmë dhe nuk mund të pranojmë që një vend i cili pret që të hapë negociatat të ketë akoma sfida dhe standarde për zgjedhjet që sigurisht nuk i takojnë një vendi në këtë proces”, u shpreh Tabaku.
Ajo theksoi se këto dy shqetësime i tregoi për arsye se Italia është një nga mbështetëset më të mira të Shqipërisë, si dhe këtë vit shumë shqiptarë do të votojnë në procesin elektoral.
Ajo përfundoi deklaratën duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, si Italia, dhe falënderoi senatorin Terzi për mbështetjen e tij të vazhdueshme për Shqipërinë, veçanërisht në çështjen e pensioneve.