Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka bërë akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë një tubimi për mbështetësit e tij. Ai e quajti propozimin e Ramës për krijimin e një shteti bektashi si një shkelje të Kushtetutës dhe një goditje ndaj besimtarëve myslimanë shqiptarë.
Berisha theksoi se parimi i ndarjes së fesë nga shteti është themelor për Shqipërinë dhe se ky propozim ka origjinë në Beograd, duke i atribuor atij qëllime antishqiptare dhe përçarëse.
“Nga themelimi i shtetit shqiptar gjer sot, ka pasur një parim, një shtyllë kryesore mbi të cilën është ndërtuar: feja dhe shteti janë të ndara dhe të pavarura nga njëri-tjetri. Fetë e shqiptarëve janë ushqimi shpirtëror i tyre.
Janë frymëzimi hyjnor dhe shpirtëror i tyre që nuk është e vërtetë që i ka ndarë, por me harmoninë që kanë treguar me njëri-tjetrin, janë bërë shembull i ndritshëm në të gjithë botën”.
Ky akt, i cili ka synimet më të liga, më antishqiptare, shkelmon pra parimin e sekularizmit, e unitarizmit të shtetit shqiptar. Ky skenar erdhi nga Beogradi, erdhi nga Vuçiçi. Ky skenar ka vetëm një qëllim, thikë pas shpine, përçarje fetare”, tha Berisha.
Ai njoftoi edhe Baba Mondin për këtë situatë, duke theksuar se ky propozim është një rrezik për bektashinjtë dhe identitetin kombëtar.
“Tre ditë më parë, në mënyrën më miqësore, e njoftova të respektuarin Baba Mondi, kujdes se e ka për veten e tij. Se përbën një thikë pas shpine, në radhë të parë kundër bektashinjve, që janë frymëzim për atdhetarinë e tyre që kanë aq kontribute në identitetin tonë kombëtar, që kanë aq kontribute në tolerancën dhe mirëkuptimin.
Ndaj le t’i themi Edi Ramës se asnjë projekt, ngado që ta marrësh, nga Beogradi apo tjetër kush, kurrë nuk të shpëton ty. Shqipëria dhe ka qenë dhe do mbetet shteti, vendi i harmonisë së shkëlqyer fetare. Do mbetet shteti laik që respekton besimin e tjetrit.
Fetë e shqiptarëve, myslimanët, të krishterët, janë gurra të pashtershme hyjnore që ushqejnë dhe pasurojnë shpirtrat e shqiptarëve, por jo shpirtrat e katranove si Edi Rama, që përdor edhe fetë për qëllime mafioze, për qëllime antishqiptare” – tha Berisha.