Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime në rregulloren “Për administrimin e rrezikut në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka”, që pritet të sjellin një shtrëngim të fortë në hapësirat kredituese të institucioneve financiare jobanka.
Mbështetur në parashikimet e projektrregullores që po konsultohet me palët e përfshira, një institucion financiar jobankë nuk do të lejohet të japë në të njëjtën kohë më shumë se dy kredi konsumatore për të njëjtin huamarrës. Projektrregullorja vendos gjithashtu një vlerë tavan të kësteve të kredisë në raport me të ardhurat mujore neto të huamarrësve.
Raporti i shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave (DSTI) do të llogaritet si vlera e totalit të kësteve mujore të kredive ekzistuese, duke përfshirë edhe kredinë për të cilën po aplikohet, të pjesëtuar me të ardhurat neto të të gjithë bashkëkredimarrësve.
Vlera e raportit të shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave nuk duhet të tejkalojë vlerën prej 40%. Kjo vlerë mund të jetë më e lartë vetëm në rastet kur kredimarrësi ka evidenca të mjaftueshme që niveli më i lartë i raportit nuk cënon pagesën e detyrimeve të kredisë. Këto raste do të trajtohen si raste përjashtimore, të cilat nuk duhet të tejkalojnë 10% të shumës së kredive të reja të dhëna nga subjekti për një vit kalendarik.(lexo KËTU për më shumë)