Duke filluar nga viti i ardhshëm, çmimet e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve nuk do të jenë të njëjta për të gjithë.
Tarifat e reja do të jenë të diferencuara, bazuar në një listë faktorësh që ndikojnë në rrezikun për të shkaktuar dëme nga drejtuesit e mjeteve.
Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka miratuar këtë muaj rregulloren “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.
Në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë duhet të zbatojnë disa faktorë kryesorë risku, si historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ; qarku i regjistrimit të mjetit; vjetërsia e mjetit.
Përveç faktorëve të mësipërm, rregullorja parashikon që shoqëritë e sigurimit mund të zbatojnë edhe faktorë të tjerë risku, të përcaktuara prej tyre.(lexo KËTU për më shumë)