Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Dytë Ndërkombëtare “KosovaPAR2024”, theksoi angazhimin e qeverisë për të reformuar administratën publike dhe për të arritur rezultate të prekshme. Ai ritheksoi se qëllimi i tyre nuk është të veprojnë kundër zyrtarëve dhe shërbyesve civilë, siç pretendon opozita.
“Ne kemi detyra morale dhe politike për të siguruar cilësinë e shërbimeve për qytetarët dhe për të avancuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian,” tha Kurti.
Ai falënderoi miqtë evropianë dhe ndërkombëtarë për mbështetje dhe këshilla strategjike, duke e theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në këtë proces.
“Dëshiroj të përgëzoj vazhdimësinë e kësaj nisme vjetore nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ministri kjo e cila shtyn përpara një reformë gjithëpërfshirëse dhe ambicioze për të reformuar administratën publike të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti ndër tjerash.