Një grup prej 20 deri në 25 oficerësh të burgjeve nga Kosova do të marrin pjesë në një projekt pilot për trajnim në Danimarkë në gjysmën e parë të vitit 2025. Kjo është pjesë e marrëveshjes për dhënien me qira të një burgu për 300 të dënuar.
Ministri danez i Drejtësisë, Peter Hummelgaard, konfirmoi se ky trajnim është një hap i rëndësishëm për të përgatitur sistemin e burgjeve në Kosovë për të pranuar kriminelët e dëbuar nga Danimarka.
“Me edukimin e vazhdueshëm, po hedhim një hap tjetër të rëndësishëm në punën që burgu në Kosovë të jetë gati për pranimin e kriminelëve të dënuar me dëbim nga Danimarka”, thotë Hummelgaard.
Danimarka ka shprehur nevojën për të trajnuar oficerët, pasi rekrutimi i rojeve të burgut nga vendi i tyre është i vështirë. Plani për rindërtimin e burgut të Gjilanit për të përmbushur standardet daneze është gjithashtu në proces, me shpresën që të dëbuarit e parë të fillojnë të vuajnë dënimin në vjeshtën e vitit 2026.