Kryeministri Edi Rama nga New York ku ishte i pranishëm në një aktivitet me ftesë të aktivistit të njohur shqiptar dhe kreut të Këshillit Kombëtar të Diasporës, Mark Gjonaj, në një bashkëbisedim me përfaqësuesit e 100 shoqatave të shqiptarëve të Amerikës u shpreh i vendosur për të çuar përpara idenë e krijimit të shtetit Bektashi.
“Dy kalamaj i kemi ortodoks. Çuni 10 vjeç do ta vendosë vetë. Të më thuash mua shtet islamik…Cfarë përfaqëson urdhri i bektashinjve në historinë tonë është një pasuri. Komuniteti Bektashi është si jetim. E ka qendrën e vet botërore në Shqipëri. E ka, këtë nuk e kam bërë unë. Këta tre komunitetet e tjera kanë jetën e tyre, aktivitetin e tyre, kanë mundësi për mbështetje nga të katërta anët dhe e kanë të ardhmen e garantuar.
Ky tjetri është një komunitet, urdhër që mbahet me mundime të mëdha dhe që e ka kapacitetin e rrezatimit shumë të ulët për shkak se kaq fuqi ka. Kemi ne interes kombëtar ta ruajmë apo t’ja lëmë fatit. Për pak dekada do të ketë njerëz të zakonshëm që do i përkasin për shkaqe historike por jo një sistem me te të gjitha figurat sepse fuqia dhe mundësia për ta prodhuar brezin tjetër nuk është.
Imamët i shkollojnë priftërinjtë në vende të botës, po këta, ku do i shkollojnë? Çfarë do të thotë të krijohet një etnitet sovran? Do të thotë që statusi të ngrihet dhe të ketë rrezatim përtej perimetrit të zonës së vet. Ky është një status si një përfaqësi diplomatike. Thonë që ky është plani i Serbisë që të bëhet një shtet këtu dhe një shtet ortodoks në Kosovë.
Çfarë idiotësie. Ky është në thesar që nuk mund ta lëmë të tretët. Po do të duan edhe të tjerët? Po cfarë do të duan, këta të tjerët i kanë. Tani duhen lënë këta jetimë? Për të ndërtuar tempullin e tyre kam kërkuar unë nga qeveria që të japë financim. Nuk ka shtete të tjera që i mbështesin. Mbi bazë të Kushtetutës dhe ligjeve ndërkombëtare do të ndërtojmë një proces konform ligjeve dhe Kushtetutës” tha ai.