Janë sekuestruar 30 mijë euro në pikën kufitare të Kapshticës. Sipas policisë, një 38 vjeçar i kishte fshehur ato në kabinën e kamionit dhe donte t’i kalonte në Shqipëri pa i deklaruar.
“Kishte fshehur në kabinën e kamionit që drejtonte, 30 000 euro që t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar, procedohet penalisht 38-vjeçari. Sekuestrohet shuma e eurove.
Në vijim të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare, më qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, në PKK Kapshticë, në hyrje të RSh-së, u kalua në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, kamioni tip “Volvo”, me drejtues shtetasin G. Gj.
Gjatë kontrolleve, në kasetën e kabinës së kamionit, u gjetën të fshehura 30 000 euro, të cilat shtetasi G. Gj. synonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konfrom ligjeve në fuqi.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. Gj., 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”. Gjithashtu, sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shumën e eurove”, thotë Policia