Ushtarët polakë të KFOR-it, në kuadër të misionit të NATO-s, kanë realizuar patrullime të sinkronizuara me Forcat e Armatosura Serbe përgjatë vijës kufitare administrative, afër komunës së Podujevës.
Në një njoftim në Facebook, KFOR-i nënvizon se këto aktivitete janë pjesë e përpjekjeve të përditshme për të mbështetur sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon.
Misioni i KFOR-it, i cili bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1999, ka si objektiv krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës dhe garantimin e lirisë së lëvizjes.
KFOR-i operon si reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), dhe bashkëpunon ngushtë me këta dy aktorë.