“Alban Qazimi është vëllai tjetër i ish-ministrit të Brendshëm dhe të Drejtësisë, Fatmir Xhafa. Që nga viti 2013, ai është pjesë e përmbaruesve privatë dhe ortak biznesi me shtetasin Tedi Malaveci, i dënuar për trafik droge në Holandë dhe ish-drejtor i Përgjithshëm i Përmbarimit në kohën kur Xhafa drejtonte Drejtësinë.
Malaveci, edhe pse i dënuar për drogë dhe subjekt i ligjit antimafia, është kryetar i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve të Shqipërisë, e SPAK-u nuk e heton!
Sipas ligjit antimafia, SPAK-u duhet të hetojë Xhafën për shkak të vëllait të tij, Gerontit, i dënuar për trafik droge, por edhe vëllait tjetër, Alban Qazimit, si familjar apo si ortak me trafikantë droge. Por SPAK-u nuk e bën se ka frikë ‘pushtetin’ e Fatmir Xhafës tek njerëzit e drejtësisë. Përveç se është ortak me Malavecin, i dënuar për trafik droge, Alban Qazimi, vëllai i Fatmirit, është gjithashtu ortak edhe me një grabitës floriri.
Shtetasi Florjand Hida, sipas QKB-së (shih fotot), është ortak në kompaninë e ndërtimit ‘Megaron’ shpk që nga qershori i vitit 2023. Hida rezulton i arrestuar në maj të vitit 2011 së bashku me dy persona të tjerë (K.Ç. dhe E.S.) për grabitjen e 176 unazave të floririt në Durrës, me vlerë mbi 30 milionë lekë (shih fotot). Pra, një grabitës është tani ortak biznesi në ndërtim me vëllain e ish-ministrit Xhafa.
Përveç biznesit me vëllain e ish-ministrit, Florjand Hida rezulton sipas QKB-së edhe ortak në një kompani me shtrirje të gjerë biznesi me emrin ‘ENLED’, bashkë me shtetasin Enio Haxhiu (shih fotot). Ky i fundit është djali i Bashkim Haxhiut, i shpallur në kërkim nga SPAK-u për atentatin e dështuar të vitit 2019 për vrasjen e Plaurent Dervishit dhe Julian Meçes. Bashkim Haxhiu njihet si pjesë e grupit famëkeq të Astrit Gjepalit, ky i fundit i vrarë më 16 janar 2014, si dhe anëtar i bandës së Durrësit.
Pra, Alban Qazimi, vëllai i trafikantit të drogës Geront Xhafa dhe njëkohësisht vëllai i ish-ministrit të Brendshëm dhe Drejtësisë, Fatmir Xhafa, nuk hetohet nga SPAK për ligjin antimafia dhe vazhdon të bëjë biznes me trafikantë droge dhe grabitës floriri. Pse SPAK nuk vepron?”.