Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, nënshkroi dosjen për përfshirjen e Parkut Kombëtar “Lumi Vjosa” në UNESCO, në programin “Njeriu dhe Biosfera”.
Ky proces, i udhëhequr nga Ministria dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, ka marrë mbështetje nga ekspertë ndërkombëtarë. Kumbaro shprehu krenarinë për punën e bërë dhe theksoi kontributin e gjithë shoqërisë shqiptare në këtë iniciativë.
“Vjosa do të kategorizohet në kategorinë e re «Njeriu dhe Biosfera», një ndër kategoritë më interesante që ka UNESCO kur bëhet fjalë për zona të mbrojtura natyrore, ku njeriu bashkëjeton me natyrën. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtarë të IUCN dhe UNESCO, dosjen e kanë bërë gati.
Tani fillon një proces bashkëpunimi me ekspertët e UNESCO në Paris dhe me besimin e plotë se në mbledhjen e ardhshme të Komitetit të Trashëgimisë Natyrore, Vjosa do të marrë edhe këtë patentë të re për të rritur emrin e vet, për të përfshirë komunitetet, por edhe për të ardhur me produkte të reja për secilën nga zonat që shtrihen në Pellgun e Vjosës.
Jemi shumë krenarë për punën që kemi bërë gjithë këto vite për Vjosën ku secili nga aktorët e shoqërisë shqiptare ka luajtur një kontribut shumë të rëndësishëm, nga shoqëria civile deri tek ata që janë njerëzit e Vjosës dhe e kanë ruajtur e mbrojtur në shekuj”, u shpreh ministrja Kumbaro
Në shtator u miratua gjithashtu Plani i Integruar i Menaxhimit për parkun, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm për zhvillimin e tij.