Ish-kryeministri i Holandës, Mark Rutte, këtë të martë merr pozitën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s.
Në një ceremoni që pritet të zhvillohet në Bruksel, Rutte, pranon këtë post nga Jens Stoltenberg, i cili për dhjetë vjet udhëhoqi NATO-n.
Marko Prelec, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, në një intervistë për Klan Kosova, thotë se aleanca veri-atlantike me ndërrimin e shefit nuk ndryshon asgjë në raport me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.
“Nato është një organizatë që bazohet në konsensus dhe ka vazhdimësi sidomos në çështjet që përfshijnë misione siç është KFOR-i. Gjërat do të jenë ashtu sikur janë tani. Mark Rutte, është politikan serioz, e me shumë mbështetje perëndimore, dhe ai do bëjë një punë të mirë”, thotë Prelec.
Nga 32 shtete anëtare sa ka NATO-ja, katër prej tyre nuk e njohin Kosovën, shtet të pavarur e sovran. Prelec, thotë se duhet pajtimi i të gjitha vendeve për pranimin e një anëtareje të re, në këtë rast republikës kosovare.
Kurse sa për hyrje në Programin Partneritet për Paqe, beson se s’do nevojitej pajtimi i të gjithëve, por me patjetër koordinim i qeverisë në Prishtinë, me miqtë dhe aleatët, kjo për të mos dështuar.
“Ne e pamë këtë me ofertën fatkeqe për anëtarësim në Këshill të Evropës. Unë sigurisht shpresoj që Kosova do të jetë në Programin Partneritet për Paqe, së shpejti. Por para se kjo të jetë një mundësi reale ajo duhet të i përmirësoj raportet me Shtetet e Bashkuara, dhe vendet tjera të QUINT-it.”,shtoi ai.
Ndryshe gjatë udhëheqjes së NATO-s Jens Stoltenberg, disa herë vizitoi Kosovën.
Në nëntor të vitit të kaluar, ai shkoi edhe në bazën e forcave paqeruajtëse që ndodhet në Leposaviq./Klankosova.tv/.