Ljubomir Filipoviç, një analist malazez, ka hapur një debat të gjerë pas publikimit të rezultateve të testit të tij gjenetik, që zbulojnë lidhje të forta me origjinën shqiptare.
Testi ADN-së “23andMe” tregoi se nga linja atërore, ai mban gjenet më të përhapura tek shqiptarët e veriut të Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa nga ana amtare ka prejardhje greke.
Filipoviç theksoi se këto rezultate e sfidojnë konceptin e kombësisë si një identitet të ngurtë, duke e konsideruar atë një konstruksion social. Ai shprehu se, pavarësisht origjinës gjenetike, identiteti etnik dhe kombëtar nuk duhet të lidhet me gjakun.
“Prej thjesht kurioziteti, bëra një test ’23andMe’ dhe nuk pati surpriza. Nga ana atërore, mbaj gjenin që haset më shumë tek shqiptarët e veriut të Shqipërisë dhe Kosovës. Duke pasur parasysh origjinën e diskutuar të paraardhësit mitologjik të fisit tim, Bijeli Pavle (Pal Bardhi), nga rajoni i Dukagjinit në Kosovë, gjithçka ka kuptim. Nga ana amtare, jam me origjinë greke, diçka që familja serbe e nënës sime e ka ditur gjithmonë.
Nëse gjenetika do të ishte faktori përcaktues i përkatësisë etnike, unë nuk do të kisha një emër sllav apo të flisja një gjuhë sllave. Paraardhësit e mi, si ata të shumë të tjerëve, kanë kaluar nëpër valë të asimilimit dhe zhvendosjeve”, tha Filipoviç.
Në fund, ai e përmbylli duke thënë “Kombet nuk kanë të bëjnë me gjakun apo me tokën; ato kanë gjithçka të bëjnë me ndjenjën e përkatësisë.”