Pas Gjykatës Kushtetuese edhe SPAK nuk do të bëhet pjesë e komisionit antikorrupsion ”Xhafaj’ që ka ngritur shumica socialiste pa pjesëmarrjen e opozitës. Prokuroria e Posaçme SPAK ka refuzuar të dërgojë dy ekspertët e saj.
“Gjatë kësaj mbledhjeje, Prokurorët e Posaçëm diskutuan rëndësinë e bashkëpunimit me Kuvendin për përmirësimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjithmonë duke respektuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
Në mënyrë unanime të gjithë Prokurorët e Posaçëm nuk e konsideruan të nevojshme pjesëmarrjen me ekspert në këtë Komision, pasi vlerësuan se tashmë institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij duke përfshirë këtu dhe nevojat për ndryshime ligjore përkatëse.
Ky detyrim ligjor është realizuar përmes publikimit të Raporteve Vjetore të SPAK në faqen zyrtare, si dhe raportimeve periodike përballë KLP-së dhe Kuvendit. Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme, cilësoi se është e gatshme për të ofruar kontributin e saj përmes dhënies së mendimeve ligjore sa herë që do të konsiderohet e nevojshme nga ky Komision” mbyllet reagimi.
Kontrolli i Lartë i Shtetit është i vetmi institucion i pavarur Kushtetues që ju përgjigj pozitivisht komisionit “Xhafaj”, duke dërguar si ekspertë të nivelit të lartë, dy punonjësit Qeram Cibaku, i cili është ngarkuar të ndjekë diskutimet për mirëqeverisjen dhe i dyti është i sapoemëruari Drejtori Juridik Bledar Mustafaraj.
Pjesë e komisionit janë bërë emra të njohur të jurisprudencës, kryesisht ekspertë të thirrur si pedagogë të drejtësisë, përfaqësues të biznesit e shoqërisë civile.