Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka bërë një reagim në platformën X, duke i drejtuar një pyetje publike kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali.
Ai e pyeti atë se çfarë dhurate ka marrë për detyrën e re nga investitori strategjik Pëllumb Gjoka, i cili është arrestuar nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal.
“Pyetje publike për Kryetaren e Kuvendit: Pëllumb Gjoka çfarë dhurate të ka bërë për detyrën e re?”, shkroi Bardhi.
Kujtojmë se deputetët e opozitës nuk kanë mundur të hyjnë në Parlament për shkak të përjashtimit nga Sekretariati i Etikës pas tensioneve në seancat e fundit, ku përplasjet kanë shkaktuar kaos. Bardhi, në një moment të mëparshëm, goditi me këmbën e karriges drejt Spiropalit, e cila reagoi duke e cilësuar incidentin si një dhuratë të papërshtatshme.
“Ajo që më ofruan një grup mbështetës ishte një copë druri në një kornizë xhami. E di që më ruajti fati dhe paaftësia e goditësit. Si njeri e kam falur, por si politikane nuk mund të hesht për këtë dhunë të verbër,” tha Spiropali.