Një tjetër goditje për komisionin Xhafaj. Pas Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, SPAK-ut dhe ILD, edhe Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se nuk do të marrë pjesë.
Prokuroria e Përgjithshme deklaron se do të bashkëpunojë me komisionin për të dhënë opinione në çdo çështje të natyrës teknike që lidhet me kuadrin kushtetues e ligjor sa i takon drejtësisë, por nuk mund të bëhen pjesë e komisionit.
“Prokuroria e Përgjithshme ka shprehur vullnetin të bashkëpunojë me Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” për çdo çështje të natyrës teknike që lidhet me kuadrin kushtetues e ligjor brenda të cilit funksionon prokuroria dhe sistemi i drejtësisë.
Prokuroria nuk do të marrë pjesë me ekspertë si pjesë të nëngrupit të punës së komisionit, por ka njoftuar komisionin për caktimin e pikave të kontaktit të institucionit sipas fushave përkatëse të ekspertizës, të cilët do të bashkëpunojnë me komisionin në formën e dhënies së opinioneve mbi produktet e punës së këtij të fundit në të gjitha rastet që do t’u kërkohet prej tij,” thuhet në reagimin zyrtar.